Kek Me Mollë, Kos, Dhe Copa Ҫokollate është një recetë shumë e shijshme për të ëmbëlsuar mëngjeset apo pasditet tuaja në këto ditë vjeshte. Mollët janë një nga frutat e stinës, të cilat mbartin vlera të shumta ushqyese, por njëkohësisht janë protagoniste në shume receta ëmbëlsirash.
Receta e sotme është e thjeshtë, e pjekur në një formë plumcake dhe e përgatitur me përbërës që gjithmonë i kemi në shtepi.
Për një variant sa më të shëndetshëm, kam përdorur sheqer kaf, kos dhe vaj në gatimin e brumit. Gjithashtu kam përdorur copëza çokollate për një shije ndryshe.
Sipas dëshirës mund të përdorni edhe fruta të thata në vend të copëzave të çokollatës.
Përbërësit
- 3 vezë
- 120 g sheqer kaf +2 lugë për të shtuar sipër mollëve
- 90 ml kos
- 90 ml vaj ulliri ose vaj vegjetal
- 230 g miell 00
- 12 g fryrës për ëmbëlsira
- 3 mollë (1 në copa për brenda brumit dhe dy për dekor)
- 1 lugë çaji aromë vanilje
- 1 lugë çaji kanellë pluhur
- 3 lugë plot me çokollatë të zezë në copëza
Përgatitja
- Ndezim furrën në 180 gradë. Do të përgatisim një tavë pjekje plumcake 26 cm duke e lyer me pak gjalp dhe pudrosur me miell.
- Në një tas do të rrahim vezët me sheqerin me një tel dore ose me korent sa të bëhen shkumë.
- Vijojmë të përziejmë duke shtuar, vajin, kosin dhe aromën e vaniljes. Do të përziejmë sa të na bëhet një masë homogjene.
- Shtojmë gradualisht miellin e situr të përzierë më fryrësin. Përziejmë lehtë sa të na formohet një brumë i butë.
- Njërën prej mollëve të lara më parë, do e qërojmë, pastrojmë nga farat dhe presim në kubikë. Do e shtojmë mollën e prerë tek brumi, kanellën pluhur dhe copëzat e çokollatës dhe përziejmë lehtë që të përhapen në gjithë sasinë e brumit.
- Brumin e hedhim në formën e bërë gati më parë.
- Do të presim dy mollët e tjera ne feta dhe i vendosim sipër brumit duke i gjytur lehtë në brum. Hedhim sheqer kokër sipër mollëve.
- Do e fusim kekun të piqet në furrë të parangrohur për 45-50 minuta. Bëni provën me kunj dhëmbësh, e cila duhet të dali e thatë.
- E heqim kekun nga furra, e lëmë të ftohet pak dhe e kalojmë në një pjatë servirje duke e pudrosur me sheqer pluhur sipas dëshirës.
- Pasi ftohet, e presim në feta dhe e shijojmë në vaktet tona.
Ju Bëftë Mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.
“As an Amazon Associate, I earn from qualifying purchases. Full disclosure.”