Fileto Aliçi Në Furrë është një pjatë e dytë shumë e shijshme për tu shijuar në një drekë apo darkë. Receta përgatitet shpejt dhe në pak minuta. Pjesa që kërkon më tepër kohë është pastrimi i aliçeve duke eleminuar kokën, pjesën e barkut dhe shtyllën kurrizore, por ju mund ti blini edhe të pastruara dhe gati për ti gatuar.
Aliçe është peshk i vogël i ngjashëm me sardelet dhe shumë të pasur me vlera ushqyese për tu konsumuar nga të gjithë në familje.
Ju mund të provoni edhe Sardele në Furrë.
Përbërësit
- 400 g Aliçi Të pastruara
- 4-5 lugë bukë të thekur
- ½ gotë verë e bardhë
- ½ hudhër e njomë
- Majdanoz i freskët
- 1 domate e vogël, ose 2-3 domate qershi
- Kripë, piper, vaj ulliri
Përgatitja
- Si fillim pastrojmë aliçet nga koka, pjesa e barkut dhe shtylla kurrizore. I shpëlajmë mirë në ujë të rrjedhshëm, i kullojmë dhe i thajmë me letër kuzhine.
- Do i marinojmë me kripë, piper, dhe do i vendosim në një tavë të lyer me vaj ulliri. Do i marinojmë në tavë edhe me verë të bardhë duke u kujdesur që aliçet mos të lundrojnë në verë.
- Në një mikser do të frulojmë hudhrën, majdanozin dhe do e përziejmë më bukën e thërrmuar. Mund ti grini imët edhe me një thike hudhrën dhe majdanozin.
- Bukën e marinuar me erëzat e shtojmë sipër peshkut, duke e spërkatur me vaj ulliri. Vendosim edhe domaten në feta.
- E pjekim në furrë të parangrohur në 180 gradë për 30-35 minuta sa të krijojë një kore të bukur.
- E heqim tavën nga furra, e lëmë të pushojë pak minuta dhe e servirim të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Në vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.