Pilafi Ali Pasha është një recetë festive, e cila është gatuar prej shekujsh, kur kjo pjatë servirej për sulltanë dhe vezirë. Receta është e ngjashme me Pilafin e Sulltanit, e cila ka prejardhje nga Turqia, ku dhe ishte vendlindja e sulltanëve, por në vendin tonë ne e gatuajmë dhe emërojmë të tillë pasi kjo ka qenë dhe një nga recetat që servirej për Pashain e Janinës, Ali Pasha.
Ashtu si dhe pilafi tradicional, përbërësi kryesor në këtë recetë mbetet orizi, por pjata pasurohet me nje kombinim frutash të thata si bajame, rrush të thatë dhe arra, aromatizuar me kanellë dhe majdanoz. Orizi gatuhet me lëng mishi dhe serviret bashkë me mishin që kemi përdorur edhe për lëngun. Mund ta gatuani me mish dashi, viçi ose gjel deti. Duke qenë se sapo kaluam mbrëmjen e ndërrimit të viteve ne e kemi gatuar më lëngun e gjelit të pjekur dhe shoqëruar me mish gjeli.
Kjo është një pjatë që nuk gatuhet në përditshmëri, por për festa dhe për për dreka familjare festive. Orizi që përdorim duhet të jetë kokërr rrumbullakët, i shkurtër dhe i mbushur siç është orizi Arborio, një nga orizet më të mira që përdorim edhe për gatimin e recetave të rizotove.
Përbërësit për 4 Persona
- 200 g oriz
- 70 g rrush të thatë
- 100 g bajame
- 100 g arra
- 1 qepë e vogël ose ½ qepë e madhe
- Kanellë
- 2 lugë gjalp
- 2-3 lugë vaj ulliri
- Kripë
- Lëng gjeli 500-600 ml
- Majdanoz i freskët
Përgatitja
- Do të pjekim gjelin dhe do të kullojmë me një kullesë lëngun e përfituar nga pjekja.
- Do të grijmë frutat e thata në copa të vogla me thikë kuzhinë dhe i lëmë mënjanë. Nëse doni tu hiqni lëkurën do i vendosim disa orë më parë në ujë të nxehtë që të pastojmë bajamet dhe arrat sa të mundemi.
- Do të grijmë qepën imët dhe do e kaurdisim në një tenxhere të thellë që nuk ngjit me një lugë gjalp dhe vaj ulliri. E kaurdisim në zjarr të mesëm me kapak mbuluar për pak minuta sa të marri ngjyrë ari.
- Sapo qepa zbutet do të shtojmë lëngun e gjelit dhe do e lëmë të vlojë.
- Do të shtojmë edhe frutat e thata të grira në copa të vogla, dhe do i lëmë të ziejnë mirë më kapak mbuluar në zjarr të mesëm për disa minuta derisa të zbuten mirë.
- Do të shtojmë tek lëngu edhe një shkop kanele që të aromatizojë lëngun. Mund të shtoni edhe kanellë pluhur një lugë gjelle nëse nuk keni kanellë shkop. Provojmë lëngun edhe për kripë dhe do të shtojmë sa është e nevojshme, pasi lëngu ka kripë edhe nga pjekja e gjelit.
- Ndërkohë bëjmë gati orizin duke e larë në ujë të nxehtë të rrjedhshëm dhe e shtojmë tek lëngu që të ziejë për kohën e nevojshme sipas paketimit. Kini parasysh që për një njësi oriz do të përdorim dy njësi lëng për të bërë një pilaf të shkrifët, në recetën e sotme do të shtojmë lëng në raportin një me 2.5 deri tre njësi lëng duke qenë se do të ziejmë frutat e thata në fillim.
- Përpara përfundimit do të shtojmë edhe një lugë gjalp që e bën orizin edhe më kremoz dhe do të shtojmë edhe një lugë majdanoz të freskët të grirë imët.
- E shërbejmë të ngrohtë shoqëruar me mishin e gjelit të pjekur.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe frekuentoni Blogun tonë. Shpresojmë t’ju inspirojmë dhe t’ju japim ide mbi gatimet tradicionale. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje mbi recetën. Ne vlerësojmë mendimin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.