Parmigiana Me Patëllxhanë është një pjatë e dytë vegjetariane, verore shumë e shijshme.
Një pjatë e lehtë për tu gatuar dhe që shijohet si për drekë apo darkë shoqëruar me sallata dhe antipasta të stinës.
Edhe pse është një pjatë verore, përbërësit për gatimin e saj i gjejmë të freskët pothuaj gjatë gjithë vitit ndaj ju ftoj ta gatuani sa herë që ju ndodhen patëllxhan të freskët në kuzhinë.
Ju mund të provoni edhe Eggplant Moussaka Recipe- Musaka me Patëllxhanë.
Përbërësit
- 1 kg patëllxhan
- 300 ml salcë domatesh
- 200 g mocarela
- 100 g djath parmixhano
- piper i zi dhe kripë
- Vaj ulliri dhe borzilok i freskët
- Hudhër
Përgatitja
- Do të lajmë dhe do të presim në feta gjatësore patëllxhanët. Secila nga fetat e prera duhet të jetë afërsisht me trashësi 0.5 cm.
- Do i fusim në një enë me ujë e kripë për 20 minuta që të lëshojnë hidhërimin.
- Ndërkohë, do të shtojmë vaj ulliri dhe një thelp hudhër në një tigan dhe aty do të shtojmë salcën e domates në mënyrë që ti japim shije.
- Shtojmë kripë e piper dhe e lëmë për disa minuta në zjarr të ulët që të marri shije. Në fund do të shtojmë borzilok të freskët.
- Do të grijmë dhe mocarelën dhe e vendosim në një kullesë që të lëshojë ujin.
- Fetat e patëllxhanëve i kullojmë dhe i vendosim në një pecetë që ti thajmë nga uji. Do ti skuqim nga të dyja anët në një tigan me vaj ulliri sa të marrin një skuqje të lehtë.
- Pasi i kemi mbaruar do të fillojmë me montimin e tyre në tavën për pjekje. Në fillim hedhim salcë dhe vendosim fetat e patëllxhanit radhë-radhë.
- Sipër hedhim salcën e domates në të gjithë shtresën. Shtojmë mocarrela në copa dhe djath parmixhan.
- Vazhdojmë kështu duke përsëritur sa shpjeguam më sipër në 3-4 shtresa dhe e mbyllim me salcë, mocarrela dhe parmixhan në krye.
- E pjekim në furrë të nxehur më parë në 200 gradë për 30 minuta.
- Pas pjekjes e lëmë të pushojë pak, e presim në copa dhe e konsumojmë të ngrohtë ose të vakët.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.