Berries Cake Recipe-Tortë Me Fruta Pylli

Tortë Me Fruta Pylli është një recetë që mund ta përgatisni fare lehtë dhe të kënaqni familjarët dhe miqtë tuaj për fundjavë apo edhe në festa të ndryshme.

Unë e përgatita këtë tortë për ditëlindje, por ju mund ta servirni për çdo rast.
Frutat e pyllit i japin një shije freskie dhe konsiderohet një ëmbëlsirë e lehtë për tu ngrënë edhe gjatë stinës së verës.
Në këtë periudhë frutat e pyllit i gjejmë të freskëta, por paketimet e ngrira na e bëjnë të lehtë gatimin e kësaj torte në çdo stinë.

Si e përgatisim këtë tortë?

Mjafton një paketim i përzierë frutash pylli ( boronica, manaferra, mjedra, Ribes). Unë preferova të shtoj edhe pak qershi. Për më shumë detaje vijoni lexoni recetën.
Përsa i përket pandispanjës, unë kam zgjedhur ta pjek në një formë pjekje me diametër 20 cm për një tortë të lartë. Nëse doni një tortë më të ulët dhe më të vogël përgjysmoni përbërësit.
Gjithashtu për një version katror apo drejtkëndor të tortës, mund ta piqni pandispanjën në tavën e furrës dhe e presim në katër pjesë të barabarta për ta montuar më pas në të njëjtën mënyrë si më poshtë.
Ju mund të provoni edhe Tortë Tiramisu.

PërbërësitBerries Cake Recipe-Family Cooking Recipes

Për pandispanjën
  •  4 vezë
  • 150 g sheqer
  • 150 g Miell
  • Pak kripë
  • Lëkurë limoni
  • Aromë Vanilje
Për kremin
  • 500 g Pana e ëmbëlsuar për ëmbëlsira
  • 250 g Maskarpone
  • 300 g miks me fruta pylli të freskëta ( një pjesë i ruajmë për dekor)
  • 100 g qershi
  • 1/2 Lëng limoni
  • 2-3 lugë sheqer
  • Aromë Vanilje

Përgatitja

Pandispanja

  1. Do të përgatisim si fillim pandispanjën. Recetën për pandispanjën e gjeni këtu. 
  2. Ndezim furrën të ngrohtë në 180 gradë.
  3. Rrahim vezët temperaturë ambienti bashkë me pak kripë dhe me sheqerin për rreth 10 minuta sa të rrisin ndjeshëm volumin.
  4. Shtojmë aromën e vaniljes dhe miellin e situr duke e përzierë lehtë nga poshtë lart sa të bëhet brumë homogjen dhe pa kokërriza.
  5. E hedhim brumin në tavën e shtruar me letër furrë. E vendosim të piqet në furrë të parangrohur në 180 gradë për 25-30 minuta.
  6. E heqim pandispanjën dhe e lëmë të ftohet duke e kaluat nga tava në një pjatë.
  7. Kur pandispanja ftohet e presim në pjesë të barabarta. Priteni sipas dëshirës, në dy, tre apo katër pjesë. Kuptohet sa më pak pjesë aq më të trasha do jetë pjesa e pandispanjës. Varet në shijet tuaja.

Frutat e Pyllit

  1. Ndërkohë, do të vendosim frutat e pyllit dhe qershitë e pastruara nga bërthamat në një tenxhere të mbuluar me lëng limoni dhe sheqerin. Mirë është ti lëmë të marinohen kështu për 20-30 minuta që të lëshojnë lëngun para zierjes.
  2. Do i ziejmë për disa minuta sa të shohim që frutat kanë lëshuar goxha lëng.
  3. Do i kullojmë me një kullesë dhe frutat i mbajmë mënjanë.
  4. Lëngun do e hollojmë duke shtuar deri një gotë ujë pasi do e përdorim për zbutjen e pandispanjës. Një pjesë të lëngut do e shtojmë edhe tek kremi që do përgatisim për shije, aromë dhe ngjyrë.

Përgatitja e Kremit

  1. Në një tas do të rrahim panën deri sa të krijohet një krem i qëndrueshëm.
  2. Veçmas, rrahim kremin Maskarpone duke shtuar pjesë-pjesë  nga lëngu i frutave të pyllit për të shijuar kremin dhe dhënë një nuancë të frutave të pyllit.
  3. Do të shtojmë edhe panën e rrahur. Mund të shtoni sërish lëng nëse doni.

Montimi i Tortës.

  1. Në një pjatë, vendosim shtresën e parë të pandispanjës dhe e zbusim me lëng nga frutat e pyllit. Shtojmë krem, e hapim uniformë dhe hedhim një pjesë nga frutat e pyllit.
  2. Përsërisim këtë proçedurë për sa pjesë e kemi ndarë pandispanjën, duke llogaritur që frutat e pyllit ti përdorim në pjesën e brendshme të tortës, pasi për dekor ruajmë disa të freskëta dhe të pagatuara.Berries Cake Recipe-Family Cooking Recipes
  3. Kur mbarojmë me shtresat do e shpërndajmë uniformë kremin duke mbuluar mirë tortën edhe në pjesët e jashtme të saj.
  4. Pjesën e mbetur të kremit e hedhim në një qese pastiçerie dhe do të dekorojmë tortën si na pëlqen.
  5. Nëse doni më shumë ngjyra në dekorin tuaj, mund ta ndani kremin në pjesë dhe ta ngjyrosni duke hedhur nga një pikë nga koloranti i zgjedhur dhe pasi e përzieni mirë, e hedhim kremin në qese dhe dekorojmë tortën tonë.
  6. Vendoseni tortën në frigorifer ta keni të freskët përpara se ta shërbeni.
  7. E dekorojmë me fruta të freskëta, e presim në feta dhe e servirim sipas dëshirës.Berries Cake Recipe-Family Cooking Recipes
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.

Leave a Comment