Kjo recetë e Reçel Me Qershi Të Verdha është një e recetë e traditës sonë, i cili përgatitet fare lehtë. Reçeli i përgatitur në këtë mënyrë rezulton me kokërr të fortë që e ruan formën e saj dhe reçeli mbetet në një lëng të trashë, të ngjashëm me glikonë. Ky është një lloj reçeli që mund ta shërbeni edhe me akullore apo edhe ta servirni edhe si glikoja, pasi fruti qëndron në formën e duhur. Qershia e verdhë është e duhura për këtë lloj reçeli.
Si e gatuajmë këtë reçel?
Për një reçel sa më të mirë, do të zgjedhim qershi të freskëta, të pjekura mirë përsa i përket nivelit të ëmbëlsisë, por njëkohësisht kokrra e frutit të jenë të mira dhe jo të dëmtuara apo shtypura. Frutat duhet të jenë të forta që të ruajnë formën. Do ti lajmë dhe i pastrojmë nga bishtat.
Sekreti për këtë reçel është tek teknika e përdorur. Qershitë do i lëmë të pushojnë për të paktën 5-6 orë të mbuluara me sheqer. Zierja e reçelit kryhet në tre apo katër seanca të shkrurta prej 5-6 minutash me distancë nga disa orë deri një ditë të plotë nga njëra tjetra. Kjo bën që kokra e qershisë nuk dëmtohet dhe reçeli trashet në nivelin e duhur.
Bishtat i ruajmë dhe i thajmë. Do ti përdorim për çaj, i cili pastron veshkat dhe rrugët urinare.
Qershive ju heqim bërthamat me kujdes që të ruajmë frutin të pa prishur. Përdorni një heqëse bërthamash, që e përdorim për qershinë apo ullirin në kuzhinë. Nqs nuk e keni atëherë përdorni një shkop shishqebapi duke e shtyrë bërthamën nga bishti drejt majës.
Ju mund të hidhni një sy edhe te Komposto Me Qershi.
Përbërësit
- 3 kg qershi
- 1.5 kg sheqer
- 1 limon
Përgatitja
- Pasi ti kemi larë dhe pastruar me kujdes bërthamat e qershive duke ruajtur kokrrën të padëmtuar, do ti vendosim qershitë në një enë të hapur dhe ju hedhim sheqerin dhe lëngun e një limoni. Mund ti hedhim gjysmën e sheqerit si fillim.
- Do ti fusim qershitë në frigorifer për gjithë natën në mënyrë që ato të lëshojnë lëngun e tyre. Nëse nuk keni aq shumë kohë, lerini qershitë të pushojnë në sheqer të paktën për 5-6 orë. Nuk përdorim fare ujë, por do i ziejmë qershitë në lëngun që do të lëshojnë nga qëndrimi në sheqer.
- Të nesërmen do ti hedhim në tenxhere me fund të trashë dhe do ti vendosim në zjarr të mesëm.
Do të shohim që ato do të lëshojnë goxha lëng.
Proçesi zierjes
- Do i lëmë të ziejnë për 10-15 minuta dhe here pas here ju heqim me një kullesë metalike shkumën që kanë nxjerrë sipër. Zierja e parë e qershive është pak më e gjatë në minuta, pasi do i pastrojmë edhe nga shkuma që frutat nxjerrin në sipërfaqe.
- E fikim zjarrin dhe e lëmë reçelin të qëndrojë për 24 orë. Te nesërmen e ziejmë përsëri për 5-6 minuta duke e llogaritur kohën nga fillimi i momentit të vlimit. E fikim dhe e lëmë përsëri të pushojë për 24 orë të tjera.
- Të nesërmen përsërisim edhe një zierje tjetër për 5-6 minuta. Pra në total vetëm tre zierje. Do ta shikoni vetë që nëse ka nevojë mund ti bëni edhe një zierje të katërt. Në fund do i shtojmë pak lëng tjetër limoni ose limontoz.
- Duhet që reçeli i përfunduar të jetë i lëngshëm dhe lëngu të ketë një lloj trashësie. Trashësinë e lëngut e testojmë në këtë mënyrë. Kur reçeli është i ftohtë dhe ne e pikojmë lëngun në një pjatë, ai duhet të rrijë surbull, pikë e pa prishur. Lëngu i jep lezet këtij reçeli.Ne në familjen tonë e përdorim edhe për të shoqëruar akullore ose ëmbëlsira të ndryshme.
Konservimi
- Mënyra e ruajtjes është si për gjithë reçelet. Do e transferojmë reçelit të nxehtë nga tenxherja në kavanoza të pastër, i mbyllim mirë dhe i kthejmë përmbys derisa të ftohen.
- Mënyra tjetër, i mbushim kavanozat me reçelin e ftohur dhe i mbyllim me banjomari në një tenxhere të madhe me ujë. I ziejmë për 20 minuta. Në zjarr të ngadaltë. Në këtë rast i lëmë kavanozat të ftohen brenda në tenxhere.
Ju bëftë mirë!