Pica është një ushqim ideal, nëse doni të konsumoni një vakt të shpejtë e të shijshëm me familjen tuaj. Për këtë arsye, ne duam të ndajmë me ju recetën tonë të picave të shtëpisë, duke ju inkurajuar ta provoni e të përgatisni pica të shijshme për të gjithë familjen. Pica është një ushqim italian dhe duke qenë se ne e praktikojmë shpesh këtë lloj kuzhine në shtëpitë tona, do t’ju tregojmë mënyrën më të mirë të përgatitjes së brumit të tyre.
Përbërësit
- 500 g miell për pica ose miell “00”
- 330 ml ujë ose qumësht i vakët
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 lugë gjelle kripë
- 1 lugë çaji sheqer
- 8 gr maja birre e thatë, ose 12-15 gr maja e freskët ( nëse keni shumë kohë në dispozicion, mund të përdorni gjysmën e masës dhe ta lini brumin të vijë për 3-4 orë )
Përgatitja
- Si fillim në një tas përgatisim një brum të hollë duke shtuar 2 lugë gjelle miell, majanë si edhe sheqerin në mënyrë që të fillojë aktivizimi i masës. Më pas shtojmë 50 ml qumësht të ngrohtë dhe e përziejmë mirë derisa të krijohet një përzierje homogjene.
- Masën e përftuar e lëmë të vijë për 20 min, në temperaturë dhome, në një enë të mbuluar .
- Pasi brumi të jetë fryrë, hedhim në një tas të thellë pjesën e mbetur të miellit dhe kripën. Brumin tashmë të fryrë e shtojmë tek mielli sëbashku me vajin e ullirit. Përpunojmë brumin me ngadalë duke i shtuar pak nga pak sasinë e mbetur të qumështit ose ujit. Në përfundim, brumi i përftuar duhet të jetë i butë, më i butë se ai i byrekut.
- Duhet të vazhdojmë ta përpunojmë masën me duar për 15-20 min derisa brumi i picave të jetë elastik dhe i butë. Nëse brumi është ngjitës mund të shtoni pak miell për ta përpunuar më lehtë.
- Në një tas të lyer me vaj, vendosim brumin e picës, të mbuluar me letër celefon, në një ambient të ngrohtë ( në një furrë të ngrohur të fikur për disa minuta ose në temperaurë ambienti në stinën e verës për 1-2 orë) derisa të ketë dyfishuar volumin e tij.
- Pasi brumi të ketë rritur masën e tij, e ndajmë në 2-3 pjesë në varësi të trashësisë dhe tavës së dëshiruar.
- Përpunojeni brumin duke i dhënë një formë të rrumbullakët dhe transferojini copat në një tavë të lyer me vaj, të mbuluar që të vijë edhe për 30 min të tjera.
- Kur brumi të ketë arritur masën e duhur, hedhim pak miell në një sipërfaqe të sheshtë dhe me ndihmën e një rruli picash ose me dorë, hapim petat me diametrin dhe trashësinë e dëshiruar, duke i lënë anët më të trasha. Ne do t’ju rekomandonim t’i hapnit petat në trashësinë 5 mm pasi brumi do të fryhet në pjeke.
- Picat mund ti përgatisni duke i hedhur sipër përbërësit tuaj të preferuar si: salca, djathëra, produkte mishi, perime, ushqime me prejardhje deti etj.
- Kur pica juaj të jetë gati, futeni atë në një furrë të ngrohur për t’u pjekur në temperaturën 230⁰C/446F⁰ për 15-18 min.
Përbërësit që mund të përdorni për një lloj pice
- Brumë pice
- 100 ml salcë domatesh
- 150 g djathë pice ose mozzarella
- 100 g proshutë
- 1 spec i kuq i prerë hollë
- ullinj
- kërpudha të freskëta, të prera hollë
Shënim: Këto masa janë për një picë mesatare.
Ju Bëftë Mirë!
Ju lutem, mos ngurroni të lini ndonjë koment ose pyetje më poshtë. Faleminderit që zgjodhët një recetë tjetër gatimi nga ne.