Torta Margarita është një ëmbëlsirë shumë e lehtë për tu përgatitur dhe në të ngrënë. Ajo është një lloj pandispanje por me nje butësi ndryshe për shkak të niseshtes së shtuar në recetë. Gjithashtu unë kam zgjedhur ta aromatizojë me lëkurë limoni dhe vanilje.
Kjo tortë u përgatit me kërkesë të vajzës sime tre vjeçe e cila dontë një kek të verdhë. Unë zgjodha këtë recetë, e cila është e lehtë për tu konsumuar nga gjithë familja përfshirë edhe fëmijët e vegjël. Për një mënyrë më të shëndetshme mund të zgjidhni të përdorni sheqer në mënyrë të moderuar.
Tortën Margarita mund ta konsumojmë për mëngjes, apo në çdo vakt të ditës, si dhe mund ta përdorni si një pandispnajë për të montuar tortat tuaja të preferuara në familje me raste festash apo fundjava.
Ju mund të provoni edhe recetën e Pandispanjës klasike.
Përbërësit
- 3 vezë
- 150 g sheqer
- Një limon lëkura dhe lëngu
- Një pako sheqer i aromatizuar me vanilje
- 90 ml vaj vegjetal
- 75 ml qumësht i vakët
- 180 g miell
- 120 g niseshte
- 1 pako fryrës për ëmbëlsira
- Sheqer pluhur
Përgatitja
- Do të ndezim furrën në 175 gradë. Përgatisim një tavë pjekje për kekun me diametër 20-22 cm duke e lyer me gjalp dhe pudrosur me miell.
- Në një tas qelqi do të shtojmë vezët në temperaturë ambienti dhe sheqerin dhe do I rrahim me rrahësen elektrike për disa minuta sa të trefishohet volumi ndjeshëm.
- Do të vijojmë duke shtuar lëkurën dhe lëngun e limonit dhe aromën e vaniljes.
- Përziejmë sërish duke shtuar edhe vajin në fije.
- Pasi të kemi një masë homogjene duke vijuar përzierjen shtojmë edhe qumështin e vakët.
- Do të shtojmë në fund miellin e përzierë më fryrësin dhe niseshten, të situr pjesë pjesë.
- Përziejmë për 1-2 minuta sa të na krijohet një brumë homogjen dhe pa kokërriza.
- Do e hedhim në formën e kekut të përgatitur.
- E vendosim në furrë të parangrohur në 175 gradë dhe e pjekim për 35 minuta. Beni provën me kunj dhëmbësh.
- E nxjerrim nga furra e lëmë të ftohet pak minuta, e transferojmë në një pjatë dhe e pudrosim me sheqer pluhur.
- E lëmë të ftohet edhe pak dhe e presim në copa për ta servirur sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!