Kek Me Banane, Reçel dhe Ҫokollatë është një ëmbëlsirë shumë e shijshme, e cila përgatitet shpejt dhe një zgjidhje shumë e mirë për mëngjeset dhe pasditet e të gjithëvenë familje.
Të gjithëve na ndodh që të na teprojnë banana të pjekura shumë si dhe të na teprojë reçel në frogorifer që nuk preferojmë ta konsumojmë më. Të kombinuara në këtë recetë, bashkë me çokollatë në copa, na japin një rezultat shumë të shijshëm.
Unë preferoj të mos shtoj shumë sheqer në ëmbëlsirat e mia. Në këtë recetë, ëmbëlsia sigurohet nga një sasi e moderuar sheqeri, bananet e pjekura dhe reçeli.
Ju mund të provoni edhe kekun Me Banane dhe Ҫokollatë, Banane dhe molle, apo Banane Dhe Arra.
Përbërësit
- 400 g banana (rreth 4 banane)
- 3 vezë
- 30 gramë sheqer
- 120 gramë reçel dardhe, pjeshke, ose kumbulle
- 130 gramë gjalp temperaturë ambienti
- 1 lugë aji sodë buke
- 1 lugë çaji fryrës për ëmbëlsira
- 340 g miell
- 1 lugë çaji vanilje
- 100 g çokollatë e zezë në copa
- Sheqer pluhur
Përgatitja
- Në një tas do të rrahim vezët me sheqerin sa të na bëhen shkumë me një rrahës elektrik.
Do të shtojmë aty edhe gjalpin e zbutur dhe vazhdojmë përziejmë sa të krijohet një masë homogjene.
Në një enë veçmas përziejmë reçelin me sodën e bukës për 1-2 minuta sa reçeli të fillojë të zbardhet. - E shtojmë këtë sasi te vezët dhe përziejmë sërish.
- Do të shtojmë aty edhe bananet e shtypura me një pirun dhe bërë pure. Shtojmë edhe aromën e vaniljes.
- Do të shtojmë gradualisht miellin e situr dhe përzierë më fryrësin, duke vazhduar përzierjen me rrahësin elektrik.
- Në fund kur të kemi një brumë homogjen shtojmë edhe çokollatën e prerë me thikë në copa.
- Do të lyejmë një tavë 24-26 cm me gjalp dhe pudrosim me miell dhe do të hedhim brumin e përgatitur.
- Do e pjekim në furrë të parangrohur në 180 gradë për 40-45 minuta. Bëjmë provën me kunj dhëmbësh.
- E nxjerrim nga furra e lëmë të ftohet pak, e heqim nga tava dhe e vendosim në një pjatë. E pudrosim me sheqer pluhur, e presim në copa dhe e shërbejmë sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Në vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.