Supë Krem Asparagu është një pjatë e parë e shijshme e stinës së Pranverës. Në këtë periudhë, asparagët janë të freskët dhe me ta realizojmë receta të shëndetshme për gjithë familjen. Në vijim të rizotos me asparag, po ndajmë edhe këtë recetë, e cila përgatitet shpejt dhe lehtë. Brenda 20 minutave pjata është gati për servirje.
Mund ta shërbeni këtë pjatë për drekë ose darkë.
Përbërësit
- 2 qepë të njoma
- 1 kungull jeshil
- 1 tufë Asparag
- 1 patate
- Ujë ose lëng pule
- Kripë e piper
- 100 ml pana kuzhine
- Majdanoz
- Vaj ulliri dhe limon
Përgatitja
- Do të pastrojmë asparagët dhe do të ndajmë pjesën e butë nga ajo me fibroze, duke i përkulur asparagët. Aty ku do të këputen me lehtësi do të jetë pjesa e duhur.
- Në një tenxhere me ujë të ftohtë do të shtojmë qepën e grirë, kungullin e prerë në kuba të mëdhenj, pataten e qëruar dhe të prerë, dhe asparagët e copëtuar. Shtojmë edhe 2 degë majdanoz të freskët. Disa maja Asparagu do ti lëmë vec. Tani mund të zgjidhni ti shtoni apo jo pjesët e forta të asparagut. Nqs do ti shtojmë nuk do ti frulojmë në fund fare, por do u marrim vetëm lëngun. Në të kundërt mund ti ruani dhe të përgatitni një lëng perimesh për rizoto.
- Do ti gatuajmë perimet duke i zierë për 10-15 minuta. Në 2-3 minutat e fundit të gatimit do të shtojmë edhe majat e asparagëve që të gatuhen edhe ato. Majat e asparagut i mbajmë veçantë pas zierjes për dekor në servirje e supës.
- I frulojmë të gjitha perimet dhe do ta rregullojmë trashësinë e supës me lëng pule, ose për një version vegan përdorni thjesht ujë. Do të rezultojë një supë me trashësi kremoze.
- Në përfundim, shtojmë panën e kuzhinës kur e kemi fikur zjarrin. E rregullojmë supën me kripë e piper, dhe lëng limoni.
- Do e servirim supën të ngrohtë, me vaj ulliri sipër dhe majdanoz. I vendosim dhe majat e asparagëve që i lamë veç për dekor. Një supë shumë e shijshme.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Në vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.