Këto Biskota Me Ҫokollatë që do ndajmë me ju sot janë shumë të lehta për tu përgatitur dhe shumë të shijshme për tu shërbyer si në përditshmëri ashtu dhe për festa. Shija e çokollatës ndihet më së miri në këtë recetë. Biskotat janë të aromatizuara nga mjalti dhe shija e çokollatës.
Gjalpi bën që të jenë të buta dhe të shkrijnë në gojë. Përgatitja është shumë e thjeshtë, duke përgatitur një brumë me bazë gjalpi, të cilin e presim në fomat që dëshirojmë.
Unë u argëtova me vajzën time duke i prerë në format që asaj i pëlqejnë më shumë, si lule, yll, apo zemër. Provojini dhe ju ti gatuani bashkë me fëmijët dhe do kaloni një kohë të bukur së bashku.
Ju mund të provoni edhe Biskota me Kakao, apo Biskota me copa çokollate.
Përbërësit
- 400 g miell
- 160 g gjalp
- 40 g lajthi
- 1 vezë
- 2-3 lugë mjalt
- 50 g çokollatë e zezë
- 50 g kakao e hidhur
- 200 g sheqer pluhur
- 1 lugë çaji fryrës ëmbëlsirash
- 3-4 lugë qumësht
- Pak kripë
- Për dekor: Sheqerka me ngjyra dhe sheqer pluhur
Përgatitja
Brumi
- Do të sitim miellin dhe kakaon dhe do i përziejmë në një tas të thellë të dyja bashkë. Shtojmë aty edhe pak kripë, fryrësin, dhe sheqerin.
- Nga sheqeri do të marrim 2-3 lugë dhe do e përziejmë më lajthitë, të cilat i grijmë sa më imët në një grirëse kuzhine. E shtojmë edhe këtë masë tek përbërësit e thatë.
- Ndërkohë në një tjetër enë do të përziejmë gjalpin temperaturë ambienti dhe me një spatul do e punojmë bashkë me vezën sa të krijohet nje masë e vetme. Shtojmë aty edhe mjaltin dhe çokollatën e shtirë.
- E shtojmë këtë përzierje të gjalpit tek përbërësit e thatë dhe do të përziejmë të krijojmë një brumë, të cilin do e zbutim edhe me pak qumësht duke shtuar gradualisht lugë-lugë, deri sa brumi të krijjë konsistencën e duhur. Nuk ka nevojë të shtojmë shumë qumësht, prandaj e lëmë ta shtojmë në fund në varësi të sa e nevojshme do të jetë për të lidhur brumin si duhet.
- Mund ta hapim brumim direkt në pëtë dhe ti japim formë, por duke qenë se është një brum me bazë gjalpi, ju sugjeroj ta lëmë rreth 30 minuta të pushojë në frigorifer.
Përgatitja e Biskotave dhe Pjekja
- Pasi kalon koha, ndezim furrën të ngrohet në 180 gradë, përgatisim një tavë me letër furre dhe fillojmë të hapim brumin.
- Hapim një petë me trashësi rreth 5 mm dhe e presim në forma. I vendosim biskotat në tavë, u vendosim sheqerka dekori në sipërfaqe dhe i pjekim për rreth 10 minuta.
- Pasi piqen, i heqim nga furra dhe i spërkasim me sheqer pluhur sipas dëshirës.
- I servirim për mëngjes, apo të shoqërojmë një kafe, çaj, apo gotë qumësht. Janë shumë të shijshme për tu servirur në bankete, festa, apo përditshmëri.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.