Vazhdimisht kemi sjellë për ju receta keku me fruta, të cilat i konsideroj më të shëndetshme dhe të shijshmë për shkak të aromës, shijesh dhe pqrdorimit të sheqerit në doza më të ulëta. Keku Me Portokall që do ndaj sot është një recetë shumë e thjeshtë. E përgatisim në pesë minuta dhe e shijojmë sipas dëshirës për mëngjes, pas një vakti apo si zemër. Keku është shumë i lehtë pasi përgatitet me të bardha vezësh, vaj vegjetal, dhe lëng portokalli. Provojeni dhe do shikoni edhe vetë se keku është plot aromë, dhe i butë, i fryrë si një pandispanjë dhe plot shije.
Ju mund të provoni edhe Biskota Me Portokall.
Përbërësit
- 4 të bardha vezësh
- 100 g sheqer
- 200 ml lëng portokalli (do përdorim lëngun dhe lëkurën e 3-4 portokaj organik)
- 50 ml qumësht
- 80 ml vaj misri ose vaj vegjetal
- 250 g miell
- 50 g niseshte
- 1 pako fryrës për ëmbëlsira
- Pak kripë
Për dekor
- 100 ml lëng portokalli
- 100 g sheqer pluhur
- 1 lugë çaji niseshte
- Bajame në feta, çokollatë e bardhë në copa
Përgatitja
- Do të rrahim të bardhat e vezëve me pak kripë sa të bëhen shkumë e qëndrueshme.
- Do të përziejmë në një tas miellin dhe niseshten e situr me fryrësin.
- Do të lajmë portokajt, do i thajmë nga uji dhe me një renden do të grijmë lëkurën e tyre. I shtrydhim dhe bëjmë gati dhe lëngun për kekun.
- Në një tas do të përziejmë mirë sheqerin me qumështin, vajin, dhe lëngun e portokallit.
- Do të shtojmë marengën e të bardhave të vezëve dhe përziejmë më kujdes.
- Do të shtojmë edhe përbërësit e thatë gradualisht sa të na krijohet një brumë homogjen. Shtojmë dhe lëkurën e grirë të portokallit.
- Masën e krijuar do e hedhim në një tavë keku, të cilën e kemi lyer më parë me gjalp dhe pudrosur me miell.
- Kekun e pjekim në furrë të parangrohur në 180 gradë për 45-50 minuta. Bëni provën me kunj dhëmbësh.
- Ndërkohë do përgatisim dhe kremin për dekor. Do i përziejmë lëngun e portokallit, sheqerin pluhur dhe niseshten dhe i vendosim në zjarr të ulët duke përzier derisa të krijohet një salcë portokalli konsistente dhe mesatarisht e trashë. E lëmë mënjanë të ftohet pak.
- Ndërkohë keku është pjekur e heqim nga tava e vendosim në një pjatë dhe sipër e zbukurojmë me copëca çokollate të bardhë si dhe bajame ne feta. Ju mund të përdorni edhe fruta të thata apo çokollatë në ngjyra për ta dekoruar.
- E lëmë të ftohet pak dhe e shërbejmë të prerë në feta.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe mbështesni duke provuar, komentuar dhe pyetur për recetat tona. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.