Bakllavaja e Shtëpisë është një ëmbëlsirë e ardhur nga perandoria Osmane, e cila për dekada ka qenë dhe mbetet një nga ëmbëlsirat më të preferuara të tryezave tona për festat e fundvitit, duke u bërë kështu një nga ëmbëlsirat e preferuara të traditës Shqiptare.
Duke qenë se nuk mund të imagjinohet tavolina pa bakllava, ne do ju tregojmë sot Si Të Bëjmë Bakllava. Ashtu si dhe për Kadaifin Me Arra, secila amvisë ka mënyrën apo recetën e vetë të përgatitjes së ballkavasë, dhe ne po ndajmë më ju sot, përgatitjen e ballkavasë së shtëpisë në familjen tonë.
Rreth Bakllavasë
Kjo është një nga recetat më të shijshme dhe më të thjeshta që mund të keni provuar. Bakllavaja në ditët e sotme gatuhet me arra, lajthi, fistikë, por ne po ndajmë me ju recetën tradicionale të gatimit të bakllavasë me arra, një shije e mbrekullueshme e petëve të gatuara me gjalp dhe vezë, të cilat shkrijnë në gojë pas pjekjes dhe sherbetosjes.
Këtë recetë në familjen tonë e gatuajmë prej vitesh dhe është një nga të preferuarat tona, të cilën dëshirojmë ta ndajmë edhe me ju sot.
Bakllavaja përgatitet kryesisht për festat e fundvitit, por është një ëmbëlsirë që mund të gatuajmë për çdo gëzim tjetër familjar që ne dëshirojmë. Ju ftoj të lexoni dhe ndiqni me kujdes udhëzimet më poshtë për përgatitjen e saj, e cila nuk është e vështirë sa duket.
Shumë prej nesh zgjedhin të përdorin petë të gatshme për gatimin e bakllavasë, ose zgjedhin ta blenë të gatuar në pastiçeri, por përgatitja e petëve nga duart tuaja është një nga faktorët për të realizuar një bakllava të shijshme, të shkrifët dhe plot aromë.
Do të shikoni që kur bakllavaja gatuhet nga duart tuaja për familjen dhe miqtë tuaj ka një shije tjetër.
Disa Këshilla për të përgatitur një bakllava të shijshme.
Sekreti për mendimin tim është te perzgjedhja e përbërësve.
Gjalpi
- Një nga përbërësit kryesor për bakllavanë është gjalpi.Gjalpin duhet ta zgjidhni me kujdes dhe të blini gjalp organik dhe jo gjalp të përpunuar, i cili shpesh herë është i përzierë me përbërës të tjerë. Ne përdorim gjalp të freskët organik që e shkrijmë vet. Gjalpi duhet të shkrihet dhe të eleminohet pjesa e qumështit ose e dhallës që ka gjalpi brenda. Për këtë, do të na duhet që gjalpin ta shkrijmë dhe ta vlojmë derisa të krijohet një shkumë sipër. I hedhim pak kripë dhe gjithë pjesa që nuk na duhet do të ngelet në fund të tenxheres. E lëmë të ftohet pak, e kullojmë dhe e përdorim të vakët. Mund edhe ta ruani të tillë për njëkohë të gjatë. Kjo është edhe një mënyrë konservimi e gjalpit.
Arrat
- Përbërësi i dytë i rëndësishëm për bakllavanë janë arrat, të cilat i zgjedhim arra vendi, të freskëta, pra të prodhuara këtë vit, të cilat i çajmë dhe i pastrojmë vetë, duke siguruar thelpinj të pastër, të bardhë, dhe të freskët. Ju mund të zgjidhni ti blini edhe të qëruara, por do të keni kujdes të zgjidhni cilësinë më të mirë dhe arra mos të jetë e vjetër, e ndenjur, të mbajë lagështi , aromë myku, apo aroma të tjera të pakëndëshme, të cilat do ju dëmtojnë të gjithë punën me bakllavanë dhe mundi juaj do të shkojë kot.
Vezët
- Vezët gjithashtu duhet të jënë të freskëta dhe të rritura në mënyrë organike. Ne përdorim për gatimin e bakllavasë vezë fshati nga të afërmit tanë apo fermërë të besuar. Përgatitja e brumit me vezë të freskëta i jep një shije të veçantë brumit dhe e bën më të shkrifët gjatë pjekjes dhe pas sherbetimit.
Mielli
- Mielli është një nga përbërësit që duhet të zgjidhni me kujdes përsa i përket përgatitjes së brumit. Ju duhet të zgjidhni një miell, i cili hapet lehtësisht petë, në mënyrë që të përgatisim pëtë të holla dhe proçesi i hapjes së petëve të jetë sa më i thjeshtë për ju.
Kosi
- Kosi që do të përdorni për zënien e brumit duhet gjithashtu të jetë organik. Në përdorim kos të përgatitur vetë në shtëpi për më shumë shije.
Sherbeti
- Sherbeti është një tjetër faktor që ndikon për një bakllava shumë të shijshme, duhet të kujdeseni të përgatisni një sherbet në kosistencën e duhur duke ruajtur raportet e duhura të ujit dhe sheqerit, pa harruar të shtohet lëngu i limonit që të mos na kokërrzohet në ditët në vijim, dhe mbi të gjitha kujdesemi që sherbeti të hidhet i ngrohtë kur bakllavaja ka kulluar dhe ftohur pas pjekjes. Sherbetin e aromatizojmë me aromat e preferuara.
Përbërësit
Përbërësit Për Brumin
- 1 kg miell
- 400 ml kos
- 2 vezë të plota
- 5 të verdha veze
- 125 ml gjalp i shkrirë
- 125 ml vaj misri
- 1 lugë lëng limoni
- Pak kripë.
- 500 g Niseshte për hapjen e petëve
Për mbushjen dhe shtrimin e bakllavasë
- 700 -800 g arra të qëruara
- 500 g gjalp i shkrirë
- 100 ml vaj misri
Për sherbetin
- 2kg sheqer
- 1.5 l ujë
- 2 lugë lëng limoni
- Aroma dipas dëshirës. Lëkurë limoni, vanilje, ose kanelle, ose borzilok i tharë .
Përgatitja
Zënia e Brumit
- Pasi këmi përgatitur të gjithë përbërësit në tavolinën e punës për zënien e brumit, kemi shkrirë gjalpin si më lart shpjeguam dhe kemi pastruar arrat do të vijojmë me përgatitjen e brumit.
- Në fillim do të sitim miellim në një enë të gjerë dhe të thellë. Në një tas të tjetër do të shtojmë të verdhat e vezëve dhe i përziejmë me kosin sa të bëhet një masë homogjene. Do të shtojmë lëngun e limonit dhe gjalpin e përzierë me vajin. I përziejmë mirë dhe me të do të zëmë brumin. E punojmë brumin mirë. Brumi duhet të dali i butë. Do ta shikoni vetë gjatë proçesit të zënies së brumit, por në qoftë se duhet mund të shtoni edhe 2 lugë kos sepse varet nga mielli.
- Brumin e përftuar e fusim në një tas qelqi dhe e mbulojmë me qese. E lëmë për 1 orë të pushojë dhe nisim të hapim petët.
Hapja e Petëve
- Në fillim e ndajmë brumin në 2 pjesë. Ҫdo pjesë e ndajmë në 10 pjesë të tjera dhe ½ e tyre e lëmë mënjanë mbuluar me një pecetë që të mos thahet dhe vazhdojmë me hapjen e petëve me gjysmën tjetër të sasisë së brumit.
- Secilën pjesë nga 10 pjesët e ndara të brumit do ta ndajmë në 5 më të vogla, të cilat i hapim në kuleçë të vegjël sa dora me pak niseshte.
- Këto 5 petë të vogla do i bëjmë bashkë me pak niseshte mes tyre dhe hapim një petë të vetme të madhe dhe të hollë. Vazhdojmë kështu deri në përfundim të brumit.
- Petët që holluam do i vendosim në një mbulesë të pastër në distancë nga njëra tjetra që të mos ngjisin dhe i lëmë të thahen pak.
Shtrimi i Bakllavasë
Kur të kemi mbaruar me hapjen e petëve dhe petët e bakllavasë të jenë tharë disi,do të nisim shtrimin e bakllavasë.
- Arrat e pastruara do i grijmë në një grirëse kuzhine që të jenë më të vogla, por jo miell. Arra duhet të ndihet në gojë kur të shijojmë bakllavanë.
- Do të shtrojmë në tavë 4-5 petë duke spërkatur petët me gjalp e përzierë me vajin që të mos na ngrijë dhe do të hedhim një shtresë arra të bollshme.
- Përsërisim këtë process duke shtruar petë dhe arra në çdo 4-5 petë, duke e mbyllur bakllavanë me 4 peta në sipërfaqe.
- Presim bakllavasë bukur duke e ndarë në pjesë, pjesët në rreshta dhe rreshtat në formë rombi.
Pjekja dhe Sherbetosja
- E pjekim me kujdes në furrë të ngrohur më parë në 180 gradë për 15 minuta, pastaj e ulim temperaturën e furrës në 140 gradë dhe e pjekim për rreth 2 orë deri 2 orë e 30 minuta. Duhet që të gjitha shtresat e bakllavasë të marrin ngjyrë ari në të kuqërremtë. Do e lëmë bakllavanë të ftohet plotësisht.
- Pasi bakklavaja është ftohur do të përgatisim edhe sherbetin dhe ja hedhim të ngrohtë bakllavasë, e cila është e ftohtë.
- E lëmë të zbutet të paktën për 2 ditë dhe mund ta shijoni. Sa më shumë të rrijë bakllavaja në sherbet aq më e mirë do të bëhet. Ndaj te gjitha amvisat e përgatisim më parë bakllavanë për festa. Ky artikull duhet të ishtë shpërndarë më parë për ju por vetëm sot mundëm ta ndajmë. Nëse ende nuk e keni përgatitur bakllavanë tuaj, mund ta provoni recetën tonë, për të cilën ju garantojmë se është shumë e shijshme.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që vizituat një tjetër recetë nga Blogu ynë. Jeni të mirëpritur për çdo koment apo pyetje.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.
Ju urojmë Festa të Gezuara!