Kërpudhat janë pjesë e gatimeve të vjeshtës dhe recetat e shijshme me to nuk mungojnë gjatë ditëve të javës qoftë në pjata të para, pjata kryesore apo dhe antipasta dhe sallata. Sot do të ndajmë me ju Rizoto Me Kërpudha, një recetë e thjeshtë por shumë e shijshme. Receta është një kombinim i kërpudhave me fileton e pulës dhe orizin, për një pjatë plot shije, e shëndetshme dhe kalori të mjaftueshme për ditët e freskëta të vjeshtës. Mund ta konsumoni si pjatë të parë apo dhe kryesore për një vakt të lehtë.
Ju mund të lexoni edhe recetën e Makaronave me Kërpudha dhe Pulë
Përbërësit
• 300 g oriz për rizoto
• 4-5 kërpudha champinjon
• qepë e vogël
• 200-300 g Fileto pule
• ½ gotë verë e bardhë
• 3 lugë gjelle djath Grana i grirë
• 50 g gjalp
• vaj ulliri
• Kripë e piper, majdanoz
• 1.5 l lëng perimesh ose pule
Për lëngun
• 1 karrotë
• ½ qepë
• Majdanoz, kripë
• Një kockë pule (kocka e gjoksit)
• Ujë 2 litër
Përgatitja
- Përpara se të nisim gatimin e rizotos duhet të këmi lëngun gati. Pra kemi vendosur përbërësit e larë dhe copëtuar në një tenxhere të ziejnë për të paktën 20 minuta, dhe kur fillojmë gatimin e rizotos lëngun vazhdojmë ta mbajmë në zierje të nxehtë pasi nuk duhet të na nderpritet gatimi i orizit si dhe kemi theksuar në receta të tjera.
- Grijmë qepën dhe e skuqim me vaj ulliri për disa minuta sa të zbutet pak.
- Shtojmë dhe fileton e pulës të prerë në copa të vogla dhe vazhdojmë gatimin.
- Ndërkohë i grijmë në feta kërpudhat e pastruara me kujdes. Kërpudhat nuk lahen me shume ujë sepse e thithin ujin si sfungjer. Kështu që i pastrojmë me një pecetë të lagur, mund tu japim një të shpëlarë me ujë të shpejtë u heqim edhe cipat dhe i presim. Presim bishtat pak me hollë dhe pjesën e kapucit në feta. Shtojmë kërpudhat në tenxhere dhe pasi të zbuten edhe kërpudhat shtojmë orizin.
- E kavërdidim për disa minuta dhe e shuajmë me verën e bardhë.
- Pasi të avullojë vera shtojmë lëngun që e kemi të nxehtë dhe e mbulojmë orizin. E përziejmë pak dhe e lëmë ta thithi të gjithë lëngun. Shtojmë përsëri lëng të nxehtë dhe vazhdojmë kështu deri në gatimin e orizit. Për rreth 15-20 minuta.
- E rregullojmë me kripë, piper, majdanoz të grirë. E lëmë pak të lëngshëm dhe e heqim nga zjarri.
- Do të shtojmë djathin e grirë dhe pak gjalp dhe e përziejmë mirë. Rizoto do te dali kremoz dhe i butë. Servireni menjëherë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që ndiqni dhe provoni recetat e blogut tonë. Lutem lini komentet tuaja në formën më poshtë.