Patëllxhani është një nga perimet e stinës së verës që fatmirësisht e gjejmë të freskët ne vendin tonë në pjesën më të madhe të vitit. Për këtë arsye, ne mund të gatuajmë qindra receta me të, veçanërisht në stinën e verës dhe të vjeshtës. Kjo Recetë e Byrekut Me Patëllxhan është e lehtë për tu përgatitur për të shijuar një pjatë të parë ose aperitiv të mbrekullueshëm.
Ҫfarë më pëlqen më tepër rreth këtyre recetave është fakti që mund ti përgatisim duke kombinuar përbërësit që na pëlqejnë. Ne mund të përgatisim byrekë apo torta të kripura të mbrekullueshme me perime në kuzhinat tona si veprojmë me pizat apo byrekët tradicionalë. Për përgatitjen e tyre mund të përdorim brumë sfoliat, ose brumë byreku të përgatitur si ne na pëlqen, pa gluten, integral, me vezë, etj. Mund ta zëmë brumin vetë në shtëpi ose dhe ta blemë gati në supermarket në formë petësh të gatshme.
Patëllxhani është një zarzavat që kombinon shumë mirë me yndyrnat, djathrat dhe nënproduktet e qumështit, proshutat, mishin e grirë, etj, për të përgatitur pjata dhe receta shumë të shijshme. Unë kam dëshirë të ndaj sot një prej mënyrave të gatimit të byrekut me patëllxhan, por ju mund të merrnni shkas nga kjo recetë dhe të eksploroni duke kombinuar përbërësit që ju pëlqejnë apo ju ndodhen në shtëpi.
Përbërësit
- 1- petë sfoliat gati për gatim, ose brumë byreku tradicional.
- 1- patëllxhan i madh
- 50 g djath Guda
- 50 g djath mocarela
- 100 g proshutë e tymosur ose 100g mish i grirë viçi, ose përzierje e tyre
- 50 g gjizë
- kripë, piper, vaj ulliri, majdanoz i freskët, gjethe borziloku
Përgatitja
- Së pari, do të presim patëllxhanin e larë në kubik të vegjël dhe do i vendosim në një tas me ujë të kripur të pushojë për 20-30 minuta që ti dali hidhërimi që mund të ketë.
- Në një tigan, do të shtojmë vaj ulliri, patëllxhanet e prera dhe do i kaurdisim për disa minuta në zjarr të mesëm sa të zbuten.
- Gjatë kësaj kohe, do të presim djathrat dhe proshutën në copa, si dhe do të grijmë imët majdanozin. Nëse do të përdorni mish të grirë, do e kalojmë në një tigan tjetër për rreth 10 minuta me pak vaj ulliri.
- Ndezim furrën të ngrohet në 180 gradë.
- Në një tas të thellë do të përziejmë të gjithë përbërësit duke përgatitur kështu mbushjen e byrekut tonë.
- Do të marrim një tavë dhe do e lyejmë me yndyrë. Do të shtojmë petën sfoliat në tave, të ndihmuar dhe nga letra që është mbështjellë duke u kujdesur të mbulojë dhe bordet e tavës. Do e shpojmë me një pirun në disa vende.
- Shtojmë mbushjen sipër petës, hedhim kripë, piper, vaj ulliri, dhe disa copa djath guda. E vendosim të piqet në furrën e nxehur më parë për 45 minuta.
- Pasi piqet, e lëmë të ftohet pak, e dekorojmë me gjethe borziloku të freskët, e presim në copa dhe e shërbejmë të ngrohtë. Mund ta përgatisim edhe me parë këtë pjatë, ta ruajmë në frigorifer dhe ta ngrohim para se ta shërbejmë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që vizituat një tjetër recetë nga blogu ynë. Lutem lini komentet tuaja nëse e provoni recetën, ose ndajeni me miqtë tuaj.