Keku Zebër apo keku dyngjyrësh është një recetë shumë e thjeshtë për tu realizuar dhe mbi të gjitha e shijshme. Përbërësit gjenden përherë në kuzhinë dhe në çdo kohë e për pak minuta mund të përgatisim një ëmbëlsirë për fëmijët apo miqtë tanë.
Përbërësit për një tavë 24 cm
- 3 vezë
- 250 g sheqer
- 150 ml vaj misri
- 200 ml kos
- 300 g miell 00
- 50 g kakao e hidhur
- Lëkurë limoni e grirë
- 1 pako fryrës ëmbëlsirash
- Pak kripë
- Sheqer pluhur për zbukurim
Përgatitja
- Nxehim furrën në 180 gradë.
- Në fillim, me ndihmën e një rrahësi elektrik, rrahim vezët me sheqerin dhe pak kripë dhe kur të jenë bërë shkumë shtojmë vajin.
- Vazhdojmë përzierjen derisa të përthithet i gjithë vaji dhe shtojmë kosin.
- Grijme lëkurën e një limoni bio me renden dhe e shtojmë te brumi.
- Shtojmë miellin e situr e të përzierë me fryrësin. Mund të përdorni edhe miell që është i përzierë me fryrësin që në paketim.
- Brumin e përfituar e ndajmë në dy pjesë dhe në njërën shtojmë edhe kakaon.
- Marrim një tavë rrethore dhe e lyejmë me gjalp dhe e spërkasim me miell. Mënyra si do të hedhim brumin në tavë do të krijojë edhe vijat e zebrës. Do e hedhim brumin lugë-lugë duke filluar nga mesi i tavës me 1 lugë brumë të bardhë, 1 lugë brumë me kakao sipër njëra-tjetrës, dhe kështu do vazhdojmë deri në fund duke ruajtur të njëjtën radhë dhe epiqendër te hedhjes së brumit. Në këtë mënyrë, brumi do të hapet në të gjithë tavën dhe në pjekje do të krijohen shtresat me vija sipas dyngjyrave.
- E pjekim kekun në furrë të ngrohur më parë 180 gradë për 35-40 minuta. Bëjmë provën me kunjë dhëmbësh sepse varet nga furra që keni ju në shtëpi. Duhet që kunja të dali e thatë. E nxjerrim kekun nga furra e lëmë të ftohet dhe e heqim nga tava. E spërkasim me sheqer pluhur. Kur ta presim do të shikojmë sa i këndshem duket nga brenda.
Mund ta servirsi edhe me akullore si ëmbëlsirë për ditët e nxehta të verës, ose ta shoqëroni me kafe, çaj, apo lëngun tuaj të preferuar për mëngjes, apo pasdite në çdo stinë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni. Jeni të mirëpritur me komentet tuaja.