Peshk i Lëngshëm në Letër Furre është një nga mënyrat e gatimit të peshkut që pasi ta provoni nuk do hiqni më dorë prej saj. Ne duam të ndajmë me ju gatimin e lëvrekut të detit në këtë mënyrë por ju mund të gatuani llojin e peshkut që preferoni. Mjafton që peshku të jetë i freskët. Kjo recetë e gatimit të peshkut është shumë e thjeshtë për tu përgatitur dhe ju siguroj që del shumë e shijshme dhe pëlqehet edhe nga fëmijët e vegjël. Ju në këtë mënyrë do të përgatisni një pjatë kryesore shumë të shijshme jo vetëm për vaktet tuaja familjare por edhe për festa.
Përbërësit
- 1 peshk lëvrek deti 500 gram
- Erëza të ndryshme: majdanoz, hudhër, trumëz, rozmarinë, lëkurë limoni, gjethe borziloku, manxhuranë. Sipas dëshirës mund të shtoni edhe gjethe sherebelë dhe gjethe dafine.
- Vaj ulliri.
- Kripë dhe piper
- Letër furre dhe letër alumini
Përgatitja
- Lajmë e pastrojmë peshkun dhe e thajmë me letër kuzhine.
- Nxehim Furrën në 200 gradë.
- Përgatisim erëzat duke i larë dhe copëtuar, ose dhe i lëmë një pjesë si janë. E marinojmë peshkun me kripë e piper dhe të gjitha erëzat i fusim në pjesën e hapur të barkut. Shtojmë edhe lëkurë limoni dhe hudhër të grirë. Marrim një tave dhe shtojmë poshtë letër alumini në brendësi vendosim letër furre. Vendosim peshkun me kujdes dhe i hedhim vaj ulliri sipër. Mund ti shtoni edhe lëng limoni (opsionale). E mbështjellim peshkun me letër furre dhe letër alumini sikur po paketojmë një dhuratë duke e izoluar mirë nga të gjitha anët. E pjekim ne furrë të nxehur në 200 gradë për 25-30 minuta. Peshkun servireni të ngrohtë të shoqëruar me lëngun e vet. Shija delikate e peshkut të freskët e kombinur me erëzat do ta bëjnë këtë mënyrë të gatimit shume të veçantë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe ndani recetat tona.