Reçeli Me Manaferra Të egra është shumë i dashur për të gjithë, që duan të shijojnë aromën dhe vlerat e tyre ushqyese në çdo stinë. Manaferrat si të gjitha frutat e pyllit kanë shumë vlera ushqyese dhe vitamina. Ato piqen në stinën e verës dhe është mirë që të konsumohen si të freskëta dhe në gatime të ndryshme. Shumë prej nesh i pëlqejnë manaferrat dhe të gjithëve besoj ju ka rënë rasti që ti mbledhin vet në pyll, gjatë shëtitjeve të gjata në stinën e verës. Përveç kekut me manaferra që pëlqehet shumë në familjen tonë dhe jo vetëm, do tju tregoj si të bëni një reçel të shijshëm me manaferra, i cili do të shoqërojë mëngjeset tuaja me gjalp dhe reçel në stinën e ftohtë të dimrit, por mund të përdoret fare mirë për gatimin e ëmbëlsirave të ndryshme ose gatime të tjera.
Përbërësit
- 1kg manaferra pylli
- 500 g sheqer
- 1 limon
- 150 ml ujë
Përgatitja
- Lajmë me kujdes frutat e pjekura mirë dhe i kullojmë në një kullesë. Në një tenxhere, shtojmë ujin, manaferrat dhe 2 lugë sheqer. E vendosim në zjarr të ulët të ziejë për 15 minuta.
- Do të na duhet që manaferrave tu heqim farat që kanë në brendësi. Kështu që me ndihmën e një mikseri i frullojmë dhe masën e kalojmë në një kullesë perimesh, që shërben për bërjen e salcës së domates dhe heqjen e farave të tyre, por mund të përdorim dhe ndonjë tip tjetër kullese siç ëdhtë kullesa e makaronave me vrima jo shumë të mëdha. Një pjesë e mirë e farave do të qendrojë sipër. Pjesa që mund të kalojë te tuli i manaferrave është e papërfillshme dhe nuk do të na shkaktojë bezdi.
- E vendosim tulin e manaverrave të ziejë në një tenxhere bashkë me sheqerin dhe lëngun e limonit.
- Sa të nisi vlimi e ulim zjarrin në minimum dhe e ziejmë reçelin për 30 minuta, duke e përzierë here pas here. Ju do ta shikoni vet që do të nisi të trashet. Mos e trashni shume sepse kur të ftohet do të mpikset më shumë dhe do të bëhet si xhelatine. Hidhni 1 lugë të vogël në një pjatë që e keni mbajtur në ngrirje dhe shikoni konsistencën e reçelit.
- Kur reçeli të jetë gati, ashtu të nxehtë hidheni nëpër kavanoza të pastër, të sterilizuar me zierje.Kavanozat mbyllini dhe kthejini përmbys sa të ftohen komplet. Ruajeni reçelin në rafte të freskët dhe të thatë. Kur ta hapni ruajeni në frigorifer.
Ju bëftë mirë!
Irinda