Kjo Turli Perimesh Me Mish Në Furrë është një pjatë e dytë verore për vaktin e drekës. Gatimi në furrë e bën atë më të shijshme dhe shumë të pëlqyer edhe nga fëmijët që shpesh herë u bëjnë naze perimeve.
Kombinimi me mishin e plotëson këtë recetë shumë të pasur në vitamina dhe proteina. Për ata që nuk pëlqejnë mishin, mund të zgjedhin ta gatuajnë këtë recetë pa mish, duke shijuar harmoninë e shijes dhe ngjyrave që kanë perimet e përdorura në gatim.
Përbërësit Për 4-6 Persona
- 1 qepë
- 300 g mish viçi tul
- 1 karrotë
- 3 domate mesatare të kuqe
- 2 patëllxhan
- 2 speca
- 2 kungulleshka
- 2 patate
- Kripë, piper i zi, majdanoz i freskët.
- Vaj ulliri
Përgatitja
- Nisim punën duke larë e pastruar perimet. Patëllxhanët i përgatisim të parët duke i prerë si thela molle dhe i fusim në ujë me kripë që tu dali hidhërimi. Vazhdojmë me të gjitha perimet duke i pastruar dhe prerë në formë gjatësore ( julienne).
- Të gjitha perimet e prera i fusim në një tavë qeramike pirex dhe me vaj uliri dhe kripë për 25 minuta në furrë të nxehur 200 gradë. Ose për një gatim më të shpejtë mund ti kavërdisim perimet në një tigan për disa minuta veç e veç.
- Grijmë qepën hollë dhe mishin në copa të vogla dhe i kavërdisim bashkë në një tigan të thellë. Kur qepa dhe mishi të jenë zbutur shtojmë domaten e grirë, pasi i kemi hequr lekurën. Shtojmë pak kripë dhe piper, e gatuajmë për 7-8 minuta dhe e hedhim këtë masë sipër perimeve.
- Shtojmë edhe 1 gotë ujë të ngrohtë dhe e fusim të piqet për 35-40 minuta. Perimet duhet të jenë të buta dhe me pak lëng në përfundim të pjekjes. Sipër i hedhim majdanoz të grirë të freskët.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që vizituat një tjetër recetë nga blogu ynë. Lutem, ndjehuni të lirë, të lini pyetjet, komentet tuaja apo ndarë këtë recetë.
Irinda