Rreth Nesh

Mirësevini në faqen tonë “Receta Gatimi Familjare”.

Ne jemi Alketa, Irinda dhe Anjeza, tre motra të bashkuara për të dhënë gjithçka që ne dimë, përjetojmë dhe mësojmë rreth gatimit në familje. Në shtëpinë tonë gjithmonë është gatuar shëndetshëm. Ne jemi edukuar që të duam gatimin dhe të dimë të shijojmë në familje çdo vakt.

Ne duam të ndajmë me ju:  vlerat e gatimit tradicional, kuzhinën me të cilën jemi rritur dhe në të njëjtën kohë sjelljen e recetave të reja dhe moderne që praktikojmë në familjet tona. Këtu do të zbuloni teknikat dhe këshillat më të mira për të gatuar shëndetshëm për çdo grup moshë, nga fëmijët deri tek të moshuarit.

Do ndajmë eksperiencat personale si të gatuani dhe si të ushqeheni shëndetshëm në familje, duke trajtuar edhe rastet kur një nga familjarët është diabetik, me hipertension ose në një shtatzani me probleme.

Duam të ndajmë e të transmetojmë vlera rreth gatimit në familje, në mënyrat më të mira të mundshme.

Lidhja jonë me gatimin ne Familje

Historia e të gatuarit për ne i ka rrënjët që në fëmijërinë tonë, kur rendnim drejt kuzhinës së gjyshes për të shijuar gatimet e saj të shijshme dhe plot dashuri. E ç’nuk gatuanin ato duar të shkathëta të gjyshesh së dashur, që dinte ta mbushte tavolinën përherë plotë e të siguronte vaktet për gjithë familjen. Duke jetuar në periudhën e vështirë të komunizmit , familja jonë si çdo familje shqiptare hasej me vështirësinë e gjetjes së produkteve ushqimore. Megjithatë gjyshja dhe mamaja jonë dinin gjithmonë si të na kënaqnin me receta të thjeshta dhe të shijshme.

I kujtojmë me nostalgji edhe sot ato kohë dhe përpiqemi të ruajmë në familjen tonë traditën dhe vijimin e të gatuarit të recetave tradicionale. Dikur ne i kultivonim vetë  frutat, perimet dhe erëzat e ndryshme ndaj kuzhina jonë mesdhetare është e pasur me këto përbërës dhe vlera ushqimore.

Këtu do të gjeni Receta origjinale, gjithashtu receta të përshtatura me elementë të moderuar.
Ju do të mësoni të motivoheni që të gatuani një vakt të shijshëm për tryezën tuaj. Recetat tona për një, dy apo me shumë persona do u mundësojnë përherë të ndiheni të sigurt dhe të keni besim në gatimin tuaj.

Shkurtimisht për secilën nga Ne

Alketa është ekonomiste me profesion, ndaj tek Receta Gatimi Familjare ju do gjeni edhe keshilla mbi ekonominë dhe mirë administrimin e të ardhurave personale. Si mamaja e një vajze 29 muajshe, ajo do të japë këshilla të vlefshme mbi ushqyerjen e fëmijës për të gjitha nënat e reja. Gatimi është një nga pasionet e saj dhe përkushtimin në gastronomi dëshiron ta ndajë me nënat dhe vajzat e reja. Motoja e saj është: “Më mirë të dish, sesa të kesh.”

Irinda është me profesion infermiere dhe nëna e dy vajzave. Ajo do të ndajë me ju njohuri rreth mënyrës së ushqyerjes sa më të shëndetshme. Irinda ishte vetëm 8 vjeç kur bëri ëmbëlsirën e saj të parë dhe gjithnjë ka patur një dashuri të veçantë për gatimin.  Natyra e saj e thjeshtë dhe kërkuese i përshtatet kuzhinës italiane, të cilën të gjithë ne e preferojmë. Motoja e saj është :
”Gjërat e thjeshta janë më të mira.”
Përpos dëshirës për të ju ndihmuar ju që te keni një vakt të shijshëm, ka dëshirën e mirë të ndihmojë edhe studentët , që si vajza e saj studiojnë larg shtëpisë të ushqehen mirë dhe të mos u mungoj gatimi i shtëpisë.

Anjeza, më e vogla ndër ne, me profesion Inxhiniere elektronike, do japi më të mirën e saj që çdo informacion që ju kërkoni të vijë sa më shpejtë. Prej vitesh frekuenton palestrën dhe e di shumë mirë sa e rëndësishme është sasia e kalorive në përditshmërinë tonë në bazë të IBM së gjithsecilit.
Motoja e saj është: “Mëngjesin konsumoje si mbret, drekën si princ dhe darkën si i varfër”.

Ne na pëlqen të gatuajmë dhe dëshirojmë të ndajmë vlera!

Për ne familja është e shtrenjtë. Ne duam të sjellim tek ju realitetin, thjeshtësinë dhe dashurinë për të jetuar shëndetshëm. Na ndiqni çdo ditë në blogun tonë, mos hezitoni të regjistroheni, të merrni recetat dhe njoftimet e reja.

 

Faleminderit për kohën Tuaj

Miqësisht,

Alketa, Irinda dhe Anjeza

Themeluese të Receta Gatimi Familjare